Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu ka bërë ndërlidhjen e sportit me krimin serb dhe fytyrën e vërtetë të Serbisë.

Në një postim të Facebook, Musliu ka thënë se pjesëmarrja e Serbisë në Kampionatin Botëror në Futboll, “Katar 2022”, hapi debatin e vetëm – zbulimin e vërtetë të fytyrës së Serbisë kriminale. Asgjë sportive. Asgjë fisnike.

Sipas tij mungesa e rezultateve sportive, duke u renditur ndër përfaqësueset më të dobëta, e bëri Serbinë dhe aparatin shtetëror e kriminal të tyre, që ta humbasin vëmendjen nga dështimi, ta rrisin nacionalizmin e shovinizmin serbomadh.

“Sporti serb, dhe veçmas futbolli, është i mbuluar me skandale. Nën fanellat e futbollistëve të tyre, fshihen krimet e luftës, kontrabandistët e drogës, ata të cigareve dhe për fat të keq edhe ndonjë prift i Kishës Ortodokse Serbe.

Kampionati Botëror “Qatar 2022”, Serbinë e renditi, nga fundi, të tretën. Po, serbët janë vërtetë të parët në kriminalitet”, ka shkruar Musliu.

Musliu ka publikuar edhe një fotografi të vjetër ku shihet selektori i Serbisë, Dragan Stojkoviq me kriminelin Zhelko Razhnatoviq i njohur me nofkën Arkani.

Arkani ishte një kriminel serb dhe komandant i një force paramilitare gjatë luftërave në Jugosllavi , të quajtur Garda e Vullnetarëve Serbë. Njësiti i Arkanit kishte kryer krime lufte edhe në Kosovë. Arkani deri në vdekjen e tij ishte një nga kriminalët më të fuqishëm të Ballkanit. Ai u vra në janar 2000 para se gjyqi i tij mund të mbahej.

Kujtojmë se selektori serb, Stojkoviq, shau shqiptarët derisa festonte golin e dytë që e shënoi Serbia në ndeshjen kundër Zvicrës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *