Categories
HOME

Ulqini pret kosovarët, premtohet zbritje prej 20 për qind

Ulqini është bërë gati për të pritur vizitorët nga Kosova, e të gjithë ata që do t’i kalojnë pushimet në këtë vend do të kenë çmime më të volitshme sesa viteve të tjera. Ulqini këtë vit do të jetë më i lirë dhe do të ketë një zbritje prej 20 për qind të çmimeve për turistët nga Kosova.

Zyrtarë të Komunës së Ulqinit sot në Prishtinë kanë prezantuar ofertat turistike për sezonin 2020, ku ndër të tjera u tha se Ulqini është një vend i sigurt nga virusi COVID-19, pasi që nuk ka raste të reja, raporton KsP.

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, u shpreh se i kanë marrë të gjitha masat për të mbrojtur pushuesit nga virusi COVID-19, ku tha se distanca sociale do të respektohet në të gjitha plazhet e Ulqinit.

Ai tha se 20 për qind do të ketë lirime për turistët që shkojnë në Ulqin për të kaluar pushimet, derisa tha se nuk kanë pengesa as në kufi.

“Ju kemi rekomanduar të gjithëve atyre që merren me turizëm që t’i zvogëlojnë dhe të japin zbritje të gjithë vizitorëve që vijnë nga Kosova, mirëpo nuk jemi ne me shkop magjik që t’iu themi ‘ule çmimin se kemi me të likuidu’. Vullneti i gjithë atyre biznesmenëve të cilët merren me turizëm dhe besoj që ata kanë sens dhe do t’i ulin ato çmime më pak se nivelin e vjetëm. Ai ishte rekomandimi i nivelit lokal për të gjithë bizneset. Lehtësim është edhe kufiri, sepse nuk ka as testime, as matje të temperaturës, kurrgjë nuk ka, do të thotë është i liberalizuar kufiri qind për qind. Siguria në Ulqin është shumë më e madhe”, tha Nrekiq.

Ndërsa, ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha, tha se Ulqini edhe këtë vit do të pres duar hapur kosovarët që do ta vizitojnë këtë vend, ndërsa u shpreh se Mali i Zi do të ndihmojë Kosovën edhe në fushën e integrimeve evropiane.

“Mali i Zi do të jetë i gatshëm meqë është para Kosovës në disa aspekte, sidomos në aspektin e integrimit evropian dhe të atij euroatlantik. Mali i Zi nuk do të kursejë ndihmën e vet në këtë drejtim dhe në të gjitha drejtimet tjera, jo vetëm për Kosovën por për të gjitha shtetet fqinje që kanë nevojë për këtë. Unë jam i sigurt se Ulqini edhe sivjet në kushtet e pandemisë vërtet pas pandemisë do t’iu pres duar hapur e zemër hapur”, tha Dinosha.

Në këtë takim janë paraqitur edhe ofertat nga hotele të ndryshme, e të cilët kanë deklaruar se i kanë marrë të gjitha masat për t’i mbrojtur turistët nga pandemia COVID-19.

Leave a Reply

Your email address will not be published.